Sunday, April 22, 2007

emigranti

Emigranti

Martir i kohëve të trazuara,

endesh si fantazmë shpirtrash të mallkuar,

ndjekur këmba-këmbës nga një jetë e rrënuar,

jetë nga kujtime turbulluar,

kujtime plot dhimbje ngarkuar.

Gjëmuar nga malli përvëlues,

mall që bëhet i zemrës përgjysmues.

Viktimë e dhunës së ligjshme,

e logjikës kur pas hekurave kalon.

Penduar për ardhjen në dritë,

veten dhe botën çdo çast kur mallkon.

Urryer për vdekje prej ëndrrave tua,

Ofenduar për jetë në dhe të huaj.

I huaj për ty, o qenie e pa fuqishme,

Për ty, vetëm për ty, histori e përsëritshme.

Bastard i skamjes dhe mjerimit,

lindur nga përdhunime shoqërore,

rritur si mos më keq në një botë-jetimore,

ushqyer me mbeturinat e racës njerëzore.

Pasqyrë e shtypjes dhe shfrytëzimit,

dënuar të kesh frikë krenarinë,

harruar prej kohës që shkruan historinë.

Je ti që paguan mëkatet e një epoke,

ti, që me vuajtje mbush lumenjtë e kësaj toke.